giovedì 4 febbraio 2016

Bersant Celina “snobon” Norvegjinë, zgjedh Kosovën

Talenti shqiptar Bersant Celina zgjedh Kosovën.

I rritur në Norvegji, 19-vjeçari që aktualisht është pjesë e Manchester City-t ka vendosur të përfaqësojë skuadrën e vendit të origjinës së tij. Këtë e bën të ditur trajneri i Kombëtares Shpresa të Norvegjisë, Leif Gunnar Smerud. “Mendoj se Celinën e kemi humbur. Ai më ka thënë se nuk do të luajë për Norvegjinë. Ne e duam shumë një lojtar të tillë, por nga ana tjetër lojtarët duhet ta duan këtë fanellë“, thekson ai në një intervistë për mediat e vendit nordik. Në krahun tjetër, i ati i lojtarit, Eduart Celina ka deklaruar se Norvegjia nuk e ka marrë në konsideratë djalin e tij dhe në këtë mënyrë ai ka vendosur që të përfaqësojë Kosovën.

Këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhje sepse nuk kemi pasur mundësi të bëjmë një zgjedhje“, thekson ai duke lënë të kuptohet se nga Kombëtarja e parë e Norvegjisë nuk ka marrë një ofertë. Në vijim, i ati i talentit shton se shumë shpejt Federata e Kosovës do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA dhe në këtë mënyrë, Celina ka mundësinë reale për të qenë protagonist me Kosovën. Trajneri i Shpresave të Norvegjisë, Smerud shton gjithashtu se nuk ishte e mundur që ta bindte 19-vjeçarin që të vazhdonte aventurën me ekipin e të rinjve dhe në këtë mënyrë, nuk kishte asnjë rrugë tjetër që mund të zgjidhte.

Në lidhje me vendimin e sulmuesit ka folur edhe asistenti i trajnerit të Kosovës, Tord Erland Grip, sipas të cilit, Celina është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Përfaqësueses pasi është një lojtar i shpejtë, luan me të dyja këmbët dhe ka nivel të lart teknik. 19-vjeçari numëron 2 ndeshje zyrtare me Përfaqësuesen e Kosovës. Debutoi kundër Omanit në 7 Shtator 2014, ndërsa në vëllazëroren kundër Shqipërisë ai shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit./ss/

Reazioni: