sabato 9 aprile 2016

Opinion - Një shembull për tu ndjekur


Nga Liri Cecja

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 25 vjet, kur Defrim Methasani debutoi në median e shkruar dhe më vonë në botën e televizionit, ai vazhdon t’a ushtroj këtë profesion me të njëjtin pasion, të njëjtin përkushtin dhe me të njëjtën dashuri si ditën e parë, e cila përkon me vitin e largët 1984. Prandaj, nuk është rastësi, që 51 vjeçari, i cili punon prej dy dekadash në Televizionin Shqiptarë  është një ndër gazetarët më të vlerësuar në vendin tonë.

Përveç punës së tij të palodhur në shërbim të publikut, Methasani njihet edhe si themelues i disa iniciativave me karakter humanitarë, historik dhe social. Të tilla, kanë qenë nismat për kurimin e Amra Medës dhe Sigi Gjinit, ku nëpërmjet tyre, Methasani, arriti të solidarizonte mjaft njerëz, duke përfshirë edhe vëllezërit Ismail dhe Gjetan Keta, me qëllim kurimin e dy vajzave të reja.

Për tu përmendur, janë edhe emisionet me natyrë historike, si: “Sporti i një Qyteti”, që konsistonte në promovimin e vlerave njerëzore të njerëzve të sportit, apo emisioni “Megjese Sportive”, ku figura të ndryshme rrëfenin të pathënat e jetës së tyre përtej sportit, por edhe qindra kronika të tjera për ekipet tona kombëtare, klubet shqiptare dhe për shumësportëshin në mbarë vendin.

Nuk mund mos evidentohet edhe shoqata “Media & Sport”, të cilën Methasani e ka krijuar në vitin 2013, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në nder të personazheve që kanë shkruar historinë e gazetarisë dhe të futbollit shqiptarë, si: Panajot Pano, Medin Zhega, Frederik Fico, Ymer Striniqi, etj.
I njohur si një tifoz i flaktë i Milanit dhe një figurë e respektuar gjërësisht nga komuniteti sportiv, Defrim Methasani është vlerësuar edhe me mjaft çmime për kontributin e tij të çmuar në fushën e gazetarë, si brenda ashtu edhe jashtë territoreve shqiptare, ku ndër më të rëndësishmit ka qenë çmimi “Anton Mazreku”, që u akordohet individëve me vlera të çmuara profesionale.

Ndërkohë, duket se Defrimi, i cili vjen nga nje familje e nderuar dibrane ka menduar që të lërë edhe një pasardhëse të denjë në fushën e gazetarisë. E tillë është vajza e tij, Lunada, e cila punon në televizionit “Ora News” dhe vlerësohet si një ndër gazetaret e reja më të talentuara.

Tashmë, të rinjtë që synojnë të bëhen pjesë e botës së bukur të gazetarisë, e kanë një figurë frymëzuese, ku mund të gjejnë vetveten. Ai është Defrim Methasani.


Reazioni: